Pse Duhet Të Mësojmë Anglisht?

Në ditët e sotme gjuhët e huaja janë çelësi i suksesit të çdokujt. Anglishtja është padyshim gjuha më e rëndësishme sipas shumë studimeve. Anglishtja është çelësi që hap çdo derë komunikimi.

Por si më lindi ideja për të hapur këtë faqe dhe si saktësisht është metoda ime?

Si fillim, kur mundohesha të mësoja anglisht, pothuajse nuk kishte asnjë material në internet. Edhe ditët e sotme është e vështirë të gjesh një faqe të strukturuar për të mësuar anglisht hap pas hapi. Shumica prej nesh zgjedhin të shkojnë në kurse dhe të paguajnë shuma marramendëse çdo muaj. Ka shumë raste kur dikush nuk arrin të mësojë ashtu si duhet edhe kur shkon në kurse. Kur shohin filma apo ndeshen me dikë që flet anglisht nuk e kuptojnë.

Metoda që unë do të ndjek për t’ju mësuar anglisht, është një metodë që e kam përdorur dhe e përdor për të mësuar gjuhët e tjera të cilat po i mësoj momentalisht. Si fillim do të nisim nga gjërat bazë, nga alfabeti, fjalët e lehta dhe kështu me radhë. Më pas do të mësojmë njohuri gramatikore. Do t’ju mësoj si të memorizoni fjalët, si të keni një theks të mirë dhe të artikuloni qartë dhe saktë. Për sa i përket gramatikës, do t’jua shpjegoj në mënyrë që ta kuptoni sa më lehtë.

Mënyra se si njerëzit mësojnë ose e kanë më të lehtë për të mësuar ndryshon nga një person në tjetrin. Për këtë arsye unë vendosa që të përpiloj një program që i përfshin të gjitha mënyrat. Mësimet e mia do të jenë në formë audioje, videoje dhe teksti. Mund të dëgjoni versionin audio, ndërkohë që jeni në autobus, duke bërë një shëtitje, duke u relaksuar etj. Nuk do të keni nevojë as edhe për internet në versionin audio. Nëse nuk kuptoni diçka nga audio, mund të lexoni të gjithë shpjegimin në website, ose të shikoni videon në YouTube. Gjithashtu mund të më pyesni në komente apo dhe të më dërgoni email.

Copyright © 2018-2022 | Si Të Mësoj Anglisht